PDIU, Tahiri: Drafti i Mediut strategji greke, duhej të ishte gjithëpërfshirës
Trojet në bregdet
Mazhoranca, kundër Mediut për kthimin e tokave të Himarës te pronarët
Herion Mesi

Kërkesa
e republikanëve të Fatmir Mediut për të ndërhyrë në ligjin 8053 të
vitit 1995, që parashikon kthimin e tokave të bregdetit tek
ish-pronarët, ka hasur në kundërshtimin e mazhorancës në Komisionin e
Veprimtarisë Prodhuese, e cila rrëzoi në mbledhjen e djeshme
amendamentin që u jep mundësinë pronarëve që të kompensohen fizikisht me
troje të shtetëzuara që ndodhen në zonat turistike të vendit. Pikërisht
kjo kërkesë e Partisë Republikane, që prek vetëm zonën e bregdetit të
Jugut, konkretisht zonën e Himarës, nuk gjeti mbështetjen e mazhorancës
në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Në argumentimin e tij, kryetari
socialist i komisionit, Eduard Shalsi, tha se nuk do të ketë ndryshime
të pjesshme ligjore, deri në hartimin e një strategjie konkrete, se si
do të zgjidhet çështja e pronave. “Çdo tentativë për ta zgjidhur me
forma të tilla, do të jetë që në fillim të herës e dështuar. Pa
unifikuar institucionet, pa dixhitalizuar, pa një bazë informacioni të
saktë, çështja e pronave do të vazhdojë të rrokulliset në këtë
tatëpjetë”, tha Shalsi. Ndërkohë, nismëtari i këtyre amendamenteve,
deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, në fjalën e tij tha se tokat e
shtetëzuara, të konfiskuara apo marrë në çdo mënyrë tjetër nga shteti,
që janë të përfshira në zonën me përparësi turizmin, duhet të kalojnë në
pronësi të pronarëve që i kanë zotëruar ato para vitit 1945. “Ka një
gangrenë çështja e pronësisë. Është çështje e gjykimit tonë. Ligji 7501
nuk preket. Pse? Sepse e kemi ndarë politikisht sipas interesave
politike dhe korruptive. Janë marrë toka të thella bujqësore, me idenë
për t’u dhënë specialistëve të bujqësisë që nuk kanë pasur dhe nuk kanë
asnjë lidhje dhe sot janë pronarë me tokat e fermave bujqësore. E
gëzojnë atë privilegj për të qenë pronarë në një tokë, të cilën as nuk e
shikojnë se ku është, përfitojnë në mënyrë abuzive, duke shmangur të
drejtën e përfitimit të pronarëve të ligjshëm. Shoferë drejtorësh,
agronomë që jetojnë në qytet, drejtorë ndërmarrjesh bujqësore në tokat
më të mira bujqësore”, tha Mediu. Sipas republikanëve, abuzimet janë
konstatuar në dokumentet zyrtare të Bashkisë së Himarës dhe Kontrollit
të Lartë të Shtetit, pranuar dhe nga Gjykata e Vlorës. Sipas Mediut,
është verifikuar se 100% e dokumenteve të dhënies së tokës bujqësore në
përdorim lëshuar nga komisionet janë të paligjshme. Dhe, sipas tij,
bëhet fjalë për rreth 1870 familje që kanë përfituar tokë në mënyrë të
padrejtë. Në reagimin e tij, duke iu kundërpërgjigjur Mediut, Shalsi tha
se 11 herë është ndryshuar ligji mbi pronësinë dhe pse kjo nuk është
zgjidhur kur ai ishte në pushtet me qeverinë e djathtë. Sipas tij, kaosi
i krijuar me pronën nuk mund të zgjidhet me një amendament ligjor, por
me platformë të qartë për të gjitha tokat e bregdetit. Sipas Shalsit,
problemet me pronësinë mbi tokën po rrisin çdo ditë e më shumë faturën
që taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë si pasojë e vendimeve të
Gjykatës së Strasburgut. Sipas të dhënave, vetëm për 8 vendimet e fundit
shuma që duhet të paguajë qeveria arrin në 37 milionë euro. Dhe kjo
kosto sa vjen dhe rritet, duke u kthyer në një kërcënim për buxhetin e
shtetit.
Votimi
Pas debateve mes Mediut dhe Shalsit, lidhur me çështjen e pronave në
vend, mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese
rrëzoi draftin e kreut të PR-së, Fatmir Mediu, për projektligjin “Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 ‘Për
kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore’ të ndryshuar”. Gjatë
këtij votimi, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, abstenoi, pasi
drafti ishte vetëm për bregdetin e Himarës dhe këtë ai e cilësoi si
“strategji greke”. “Jo se jam kundër pronarëve, por se amendamenti ishte
vetëm për bregdetin e Himarës. Ligji duhet të ishte për tokat në
bregdet që nga Konispoli deri në Velipojë. M’u duk pak si strategji
greke, ne po kërkojmë pronat për Çamërinë, jo më për Shqipërinë.
Abstenova, sepse amendamenti ishte vetëm për një zonë, duhet të ishte
gjithëpërfshirëse”, tha Dashamir Tahiri për mediat menjëherë pas
përfundimit të mbledhjes së komisionit.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/03/19/pdiu-tahiri-drafti-mediut-strategji-greke-duhej-te-ishte-gjitheperfshires/