Sunday, May 04, 2014
Edi Rama pakt me klientin e Sali Berishës, Samir Manen, i jep fshat turistik në Dhërmi
Kryeministri Edi Rama
shpërdoron dhe hedh në erë besimin e 1 milion shqiptarëve, për llogari dhe
interesa të klaneve të Sali Berishës. Kthesë e befasishme në marrëdhëniet midis
qeverisë së rilindjes dhe klientit të parë të Sali Berishës, Samir Mane. Pas takimeve
dhe flirtimeve intensive me disa ministra të kabinetit qeveritar, njeriu i
monopoleve, Samir Mane, ka ndryshuar “pllakën” me kryeministrin Edi Rama, duke
marrë garanci jo vetëm për paprekshmërinë e koncesioneve korruptive që i dha
Sali Berisha, por po merr benefite të tjera nga pushteti i ri. Ndërsa 1 milion
shqiptarë, pikësëpari, votuan për të shembur monopolet mafioze të Sali
Berishës, kreministri i ri i vendit blindon më tej pozitat dominuese të
simbolit të monopoleve në Shqipëri, Samir Manes. Çfarë ka ndodhur? Kryeministri
Edi Rama i ka dhënë Samir Manes një leje për ndërtimin e një fshati turistik në
Dhërmi. Gjithçka në funksion dhe shërbim të Samir Manes. Ndërsa Sali Berisha,
pak para rrëzimit nga pushteti, i dha Samir Manes plazhin e Dhërmiut, kryeministri
Edi Rama, 8 muaj pas konstituimit të qeverisë së re, i jep Manes leje për
ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi. Si mos të mjaftonin disa shërbime
monopol që i dhuroi Sali Berisha, Mane po zgjeron aktivitetin e tij me firmën e
kryeministrit të ri. Kujtojmë se Sali Berisha i dha Samir Manes kasat fiskale,
minierat me ACR, Lotarinë Kombëtare, e futi në tregun e telefonisë etj. Nuk
dihet se si e ka gëlltitur grupi parlamentar socialist lejen e firmosur për
Samir Manen, në kushtet kur Erjon Braçe, Tom Doshi dhe shumë deputetë me forcë,
i kanë kërkuar Ramës rishikimin e koncesioneve të Samir Manes që në ditët e
para të qeverisjes. Ndërsa deputetët flasin lart e poshtë për shembjen e
monopoleve të Sali Berishës dhe anulimin e koncesioneve korruptive që shkretuan
xhepat e shqiptarëve, në qeveri po ndodh e kundërta. Flirtimi me
ministrat Samir Mane, që pas konstituimit të qeverisë së re, nisi
të joshë dhe flirtojë me katër ministra të qeverisë “Rama”. Mane intensifikoi
kontaktet me katër ministrat në fjalë, duke u ofruar edhe dreka dhe darka, me
qëllim që të vijojë të lulëzojë edhe me qeverinë “Rama”. Afrimi i tij me
ministrat në fjalë ka turbulluar dhe trazuar ujërat në selinë rozë. Ndërsa
pritej një hetim kapilar ndaj pasurisë së tij, ortaku i Sali Berishës nisi të
komprometojë një pjesë të kabinetit qeveritar, për të vazhduar të shkretojë
shqiptarët. Përpos ministrave, Mane është parë shpesh edhe në shoqërinë e
deputetëve, për t’i përdorur si mburojë për të mbrojtur koncesionet e
paligjshme që i ka dhënë Sali Berisha.
Gazeta "SOT".