V E N D I M PËR PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË
PALUAJTSHME, PËR TË CILAT ZOTËROHEN DOKUMENTE TË LIGJSHME PRONËSIE, POR
QË NUK KANË TË PËRCAKTUAR SIPËRFAQEN
|
|
V E N D I M
PËR PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PËR TË CILAT ZOTËROHEN DOKUMENTE TË LIGJSHME PRONËSIE, POR QË NUK KANË TË PËRCAKTUAR SIPËRFAQEN Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme ponësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen. 2. Pasuritë e paluajtshme, që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pasurive ose ky proces është duke u zhvilluar, nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë kadastrale, në emër të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim. 3. Pasuritë e paluajtshme, për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndodhen të pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, gjatë të cilit, sipërfaqja dhe pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë kadastrale në emër të pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen, pa qenë e nevojshme të zhvillohet procedurë fillestare, sipas shkronjës “b”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me kusht që, gjatë periudhës së afishimit publik, të mos ketë asnjë pretendim të pazgjidhur për pozicionimin e pasurisë, kufijtë dhe sipërfaqen. Për pasuritë e paluajtshme, të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ndeshen të pozicionuara, gjeografikisht, në zonat kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, por që janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin “shtet” apo “pronar i pavërtetuar”, nuk mund të procedohet me regjistrimin e tyre në favor të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim. 4. Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në këtë vendim, bëhet me kërkesë të personit të interesuar. Ai duhet ta provojë pronësinë me dokumentet e pronësisë në kuptim të nenit 193, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, duke paraqitur tek regjistruesi këto dokumente: a) aktin e fitimit të pronësisë, në rastet kur pasuria e paluajtshme regjistrohet për herë të parë, ose dokumentin e regjistrimit, në rastet kur pasuria e paluajtshme figuron e regjistruar në regjistrat hipotekorë; b) një plan rilevimi të pasurisë së paluajtshme, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime topografike apo nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas kërkesës së të interesuarit; c) deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë, që pretendohet të regjistrohet; ç) dokumentacionin nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë që pretendohet, në rast se disponohet nga ky arkiv; d) mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla). 5. Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi, janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar i dhënë nga institucioni, i cili është pronar apo administron pronën shtetërore. 6. Kur në kufi të pronës janë prona të individëve, persona fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deklarata noteriale e pronarit të pronës kufitare do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale e bërë nga këta persona, në cilësinë e poseduesit të pasurisë kufitare, të pasqyruar në kartelë si “pronar i pavërtetuar”. Në këtë rast, përveç deklaratës noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP) procedon edhe me shpalljen e planit të rilevimit të pasurisë, sipas procedurës së parashikuar në pikën 7, të këtij vendimi. 7. Kur deklarata e pronarëve kufitarë të pasurisë, për të cilën kërkohet regjistrimi me përcaktimin e sipërfaqes, sipas shkronjës “b”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, për arsye të ndryshme, objektive, me përjashtim të pretendimeve për kufirin e pasurisë, nuk është bërë e mundur të sigurohet, ZRPP-ja, afishon për publikun planin e rilevimit të pasurisë apo dokumente hartografike, për një periudhë prej 45 ditësh, në mjedise të dukshme të ZRPP-së dhe të njësisë bashkiake, në territorin e së cilës ndodhet pasuria. Për zhvillimin e procedurës së afishimit është e nevojshme që kufiri i pasurisë, për të cilin mungon deklarata e pronarit/poseduesit kufitar, të përputhet me kufirin që tregojnë dokumentet hartografike, të marra nga arkivi teknik i ndërtimit. Në rast se ky kufi nuk përputhet, nuk zhvillohet procedura e afishimit dhe nga regjistruesi refuzohet regjistrimi. 8. Kërkuesi nënshkruan një deklaratë para noterit, me të cilën vërteton, në përgjegjësinë e vet, se nuk ka mundur, për arsye objektive, të sigurojë deklaratën noteriale të pronarit apo të pronarëve kufitarë me pasurinë, që kërkon të regjistrojë, si dhe natyrën e pamundësisë objektive. Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin. Në rast se nga pronari kufitar nuk paraqitet në ZRPP, brenda afatit prej 45 ditësh, ankesë apo pretendim për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi, brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të afatit të mësipërm, harton, në dy kopje, një procesverbal, i cili përmban një përshkrim të procedurave të kryera. Një kopje e procesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së, ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës. 9. Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët është e mundur marrja e kësaj deklarate. Për bashkëpronarët e tjerë, për të cilët nuk është e mundur objektivisht marrja e deklaratës noteriale, zbatohen procedurat e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi. 10. Procedurat e parashikuara në pikat 7, 8 dhe 9, të këtij vendimi, zbatohen në çdo rast tjetër të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilin nevojiten deklaratat e pronarëve kufitarë. 11. Regjistruesi, nëse e gjykon të nevojshme, në zbatim të nenit 20, të ligjit nr.33/2012, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga të tretët, persona, fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organe të administratës. Përveç verifikimit të vërtetësisë së dokumentacionit, nëse e gjykon të nevojshme, regjistruesi mund të urdhërojë verifikimin në terren të pasurisë, me një grup të përbërë nga, të paktën, 2 punonjës hartografë të zyrës së regjistrimit, për të bërë matjet dhe për të hartuar dokumentet përkatëse (planvendosje/genplan/planrilevimi). 12. Regjistruesi, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve të afishimit, të parashikuara në pikën 7, të këtij vendimi, merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e regjistrimit të pasurisë. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. 13. Regjistruesi, në dhënien e vendimit për regjistrim ose refuzim regjistrimi, mbështetet në: a) dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi; b) verifikimet e kryera prej tij, në zbatim të nenit 20, të ligjit nr.33/2012, dhe të pikës 4, të këtij vendimi. 14. Vendimi i regjistruesit duhet të jetë në formë të shkruar, i arsyetuar, i nënshkruar dhe të përmbushë kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative të Republikës së Shqipërisë. 15. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për qëllime kompetence, publikon në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e njoftimeve çdo vendim të marrë gjatë kësaj procedure. 16. Vendimi nr.1025, datë 9.7.2008, “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”, shfuqizohet. 17. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA 24/10/2012 |
Wednesday, October 24, 2012
Ky vendim perben kapitullimin e Rajonit te Himares dhe asimilimin e saj, per sa kohe qeveria shqioptare, zevendeson ne kete rast procesin e regjistrimit te pronave nga OSBE dhe Bashkimi Europian