| 
V E N D I M
 PËR
 
 PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PËR TË CILAT 
ZOTËROHEN DOKUMENTE TË LIGJSHME PRONËSIE, POR QË NUK KANË TË PËRCAKTUAR 
SIPËRFAQEN
 
 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të 
nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të 
paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i 
Ministrave
 
 
 
V E N D O S I:
 1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave të 
regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen 
dokumente të ligjshme ponësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen.
 
 2. Pasuritë e paluajtshme, që nuk kanë të përcaktuar 
sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale për të cilat, në çastin e
 hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk ka përfunduar procesi i 
regjistrimit fillestar të pasurive ose ky proces është duke u zhvilluar,
 nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë kadastrale, në emër 
të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e 
përcaktuar në këtë vendim.
 
 3. Pasuritë e paluajtshme, për të 
cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndodhen të 
pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale për të cilat ka 
përfunduar regjistrimi fillestar, gjatë të cilit, sipërfaqja dhe 
pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe 
pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë kadastrale në emër të
 pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen, pa qenë e
 nevojshme të zhvillohet procedurë fillestare, sipas shkronjës “b”, të 
nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të 
paluajtshme”, me kusht që, gjatë periudhës së afishimit publik, të mos 
ketë asnjë pretendim të pazgjidhur për pozicionimin e pasurisë, kufijtë 
dhe sipërfaqen. Për pasuritë e paluajtshme, të cilat, në çastin e hyrjes
 në fuqi të këtij vendimi ndeshen të pozicionuara, gjeografikisht, në 
zonat kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, por 
që janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin 
“shtet” apo “pronar i pavërtetuar”, nuk mund të procedohet me 
regjistrimin e tyre në favor të pronarit, pa u zhvilluar më parë 
procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim.
 
 4. Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në këtë vendim,
 bëhet me kërkesë të personit të interesuar. Ai duhet ta provojë 
pronësinë me dokumentet e pronësisë në kuptim të nenit 193, të Kodit 
Civil të Republikës së Shqipërisë, duke paraqitur tek regjistruesi këto 
dokumente:
 
 a) aktin e fitimit të pronësisë, në rastet kur 
pasuria e paluajtshme regjistrohet për herë të parë, ose dokumentin e 
regjistrimit, në rastet kur pasuria e paluajtshme figuron e regjistruar 
në regjistrat hipotekorë;
 b) një plan rilevimi të pasurisë së 
paluajtshme, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime 
topografike apo nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, 
sipas kërkesës së të interesuarit;
 c) deklaratën noteriale të 
pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e 
pasurisë, që pretendohet të regjistrohet;
 ç) dokumentacionin nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht
 gjendjen e pasurisë që pretendohet, në rast se disponohet nga ky arkiv;
 d) mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime
 të tjera, nëse ka të tilla).
 
 5. Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë 
regjistrimi, janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, 
lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga 
konfirmimi zyrtar i dhënë nga institucioni, i cili është pronar apo 
administron pronën shtetërore.
 
 6. Kur në kufi të pronës janë 
prona të individëve, persona fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, 
të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në zyrën e regjistrimit të 
pasurive të paluajtshme, deklarata noteriale e pronarit të pronës 
kufitare do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale e bërë nga këta 
persona, në cilësinë e poseduesit të pasurisë kufitare, të pasqyruar në 
kartelë si “pronar i pavërtetuar”. Në këtë rast, përveç deklaratës 
noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, zyra e regjistrimit të 
pasurive të paluajtshme (ZRPP) procedon edhe me shpalljen e planit të 
rilevimit të pasurisë, sipas procedurës së parashikuar në pikën 7, të 
këtij vendimi.
 
 7. Kur deklarata e pronarëve kufitarë të 
pasurisë, për të cilën kërkohet regjistrimi me përcaktimin e sipërfaqes,
 sipas shkronjës “b”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, për arsye të 
ndryshme, objektive, me përjashtim të pretendimeve për kufirin e 
pasurisë, nuk është bërë e mundur të sigurohet, ZRPP-ja, afishon për 
publikun planin e rilevimit të pasurisë apo dokumente hartografike, për 
një periudhë prej 45 ditësh, në mjedise të dukshme të ZRPP-së dhe të 
njësisë bashkiake, në territorin e së cilës ndodhet pasuria.
 
 Për zhvillimin e procedurës së afishimit është e nevojshme që kufiri i 
pasurisë, për të cilin mungon deklarata e pronarit/poseduesit kufitar, 
të përputhet me kufirin që tregojnë dokumentet hartografike, të marra 
nga arkivi teknik i ndërtimit. Në rast se ky kufi nuk përputhet, nuk 
zhvillohet procedura e afishimit dhe nga regjistruesi refuzohet 
regjistrimi.
 
 8. Kërkuesi nënshkruan një deklaratë para noterit,
 me të cilën vërteton, në përgjegjësinë e vet, se nuk ka mundur, për 
arsye objektive, të sigurojë deklaratën noteriale të pronarit apo të 
pronarëve kufitarë me pasurinë, që kërkon të regjistrojë, si dhe natyrën
 e pamundësisë objektive. Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej
 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të 
mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë, për të cilën 
kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin.
 
 Në rast se nga pronari kufitar nuk paraqitet në ZRPP, brenda afatit 
prej 45 ditësh, ankesë apo pretendim për kufijtë e pasurisë, për të 
cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi, brenda 5 ditëve pune 
nga data e përfundimit të afatit të mësipërm, harton, në dy kopje, një 
procesverbal, i cili përmban një përshkrim të procedurave të kryera. Një
 kopje e procesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së, ndërsa kopja 
tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës.
 
 9. Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, 
kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët 
është e mundur marrja e kësaj deklarate. Për bashkëpronarët e tjerë, për
 të cilët nuk është e mundur objektivisht marrja e deklaratës noteriale,
 zbatohen procedurat e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi.
 
 10. Procedurat e parashikuara në pikat 7, 8 dhe 9, të këtij vendimi, 
zbatohen në çdo rast tjetër të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, 
për të cilin nevojiten deklaratat e pronarëve kufitarë.
 
 11. 
Regjistruesi, nëse e gjykon të nevojshme, në zbatim të nenit 20, të 
ligjit nr.33/2012, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur 
nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga 
të tretët, persona, fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organe të 
administratës. Përveç verifikimit të vërtetësisë së dokumentacionit, 
nëse e gjykon të nevojshme, regjistruesi mund të urdhërojë verifikimin 
në terren të pasurisë, me një grup të përbërë nga, të paktën, 2 punonjës
 hartografë të zyrës së regjistrimit, për të bërë matjet dhe për të 
hartuar dokumentet përkatëse (planvendosje/genplan/planrilevimi).
 
 12. Regjistruesi, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së
 kërkesës, me përjashtim të rasteve të afishimit, të parashikuara në 
pikën 7, të këtij vendimi, merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e 
regjistrimit të pasurisë. Kundër vendimit të regjistruesit ose në 
mungesë të përgjigjes, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë.
 
 13. Regjistruesi, në dhënien e vendimit për regjistrim ose refuzim regjistrimi, mbështetet në:
 
 a) dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi;
 b) verifikimet e kryera prej tij, në zbatim të nenit 20, të ligjit nr.33/2012, dhe të pikës 4, të këtij vendimi.
 
 14. Vendimi i regjistruesit duhet të jetë në formë të shkruar, i 
arsyetuar, i nënshkruar dhe të përmbushë kërkesat për aktin 
administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative të 
Republikës së Shqipërisë.
 
 15. Zyra e regjistrimit të pasurive 
të paluajtshme, për qëllime kompetence, publikon në faqen zyrtare të 
internetit dhe në ambientet e njoftimeve çdo vendim të marrë gjatë kësaj
 procedure.
 
 16. Vendimi nr.1025, datë 9.7.2008, “Për procedurat
 e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen 
dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar 
sipërfaqen”, shfuqizohet.
 
 17. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 SALI BERISHA
 24/10/2012
 |