Facts, Tokat e Himares, troje per mafian dhe agallaret e rrinj. Lexoni me poshte se cfar po pergatitet me tokat te konsideruara "Shteterore" nga qeveria shqiptare
Fshatrat turistike, jo shitje trualli për qiramarrësit e rregullt
Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligj. Ekzekutivi pranon amendimet e deputetit Alibeaj
Çdo person i stimuluar që ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të një trualli shtetëror në bazë të një marrëveshje qiraje dhe zhvillimi do të vazhdojë të ketë të njëjtat të drejta nëse ka paguar në rregull detyrimet ndaj shtetit. Ky është thelbi i ndryshimeve të bëra në ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat që kanë përparësi turizmin”. Këto ndryshme kanë marrë dje edhe miratimin e Komisionit të Ligjeve së bashku me amendimet e bëra nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Një tjetër ndryshim në ligjin bazë parashikon që personat e stimuluar që aplikojnë pranë ALUIZNI-t duhet të dorëzojnë pranë tij së bashku me dokumentet e tjera dhe një faturë financiare që vërteton pagimin e detyrimeve të qerasë së bashku me detyrimet për truallin që do ta marrin në pronësi.
Ndryshimet në ligj
Endri Jorgoni, drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Turizmit, sqaroi dje se arsyet e kësaj nisme për ndryshimet në ligj synojnë bërjen e një dallimi të qartë mes personave të stimuluar të cilët kanë marrëveshje qiraje dhe zhvillimi që kanë zbatuar marrëveshjen dhe atyre që nuk e kanë zbatuar. “Ligji ekzistues na çon në prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, çka do çonte në procese gjyqësore dhe efekte financiare”, - sqaroi Jorgoni ndërsa shtoi se janë vetëm 3 subjekte që kanë përmbushur detyrimet duke paguar në rregull qiranë. Ai sqaron më tej se me ligjin ekzistues personat e simuluar kanë qenë të detyruar të aplikojnë pranë ALUIZNI-t për të bërë kalimin e pronësisë por nuk e kishin detyrim të paguanin në momentin e kalimit të pronësisë edhe detyrimet që kishin si rrjedhojë e zbatimit të marrëveshjes së qerasë me ministrinë. Pra, ai detyrim që ata kishin me Ministrinë e Turizmit, nuk përmendjen. Kështu që, ne e saktësuam këtë gjë dhe në momentin që këto subjekte që janë të interesuar të bëjnë kalimin e pronësisë do aplikojnë pranë ALUIZNI-t të kenë dhe këtë dokument, pra që është një e dhënë financiare dhe ALUIZNI ta zbatojë duke i kërkuar veç detyrimeve për truallin që ato do blejnë ti kërkojë dhe këtë detyrim”, - tha drejtori i Kabinetit në Ministrinë e Financave. I pyetur nga deputeti demokrat, Dashnor Sula, nëse pagimi i qerasë do të jetë deri në periudhën e tanishme kur ka nisur procesi i legalizimit apo për gjithë periudhën 25-vjeçare, sipas kontratës, Franka Paloka, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, tha se bëhet kategorizimi i tyre në dy grupe, njëri grup janë personat e stimuluar që kanë paguar qiranë dhe grupi tjetër janë subjektet që iu është hequr titulli person i stimuluar dhe konsiderohen si subjekte që kanë marrëveshje qiraje dhe zhvillimi. “Është një formulë e mëparshme e ligjit të turizmit në bazë të të cilit është procedura si për dhënien e titullit person i stimuluar ashtu dhe për lidhjen e këtyre dy marrëveshjeve. Është një formulë e cila përcakton pagesën e qerasë për një periudhë zhvillimi gjatë së cilës është kryer ndërtimi i strukturës ndërsa për vitet në vijim qiraja do ishte 5% e shifrës së mbetur në raport me atë të paguar në periudhën gjatë së cilës është bërë i mundur funksionimi i objektit. Në lidhje me qiranë e truallit të paguar duhet të kemi në konsideratë se deri në momentin e ndryshimit të titullit të pronësisë ky detyrim i pagesës së qerasë duhet të kryhet nga të gjitha subjektet që do ndjekin procesin e legalizimit të strukturave. Përllogaritja e pagesës së qerasë do ndjekë të njëjtën skemë siç është vendosur në kontratë për secilin vit deri në momentin e ndryshimit të titullit të pronësisë”, - sqaroi ajo. Pas votimit në parim të draftit komisioni ka shqyrtuar nen për nen atë, duke përfshirë edhe amendimet e relatorit të projektligjit, deputeti Enkelejd Alibeaj, të cilat synonin kryesisht rregullimin e teknikës legjislative.
Procedura për të marrë titullin e pronësisë
Ligji nr. 10 186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, parashikon se çdo subjekt apo person i interesuar që do të fitojë titullin e pronësisë për ndërtimin e tij në zonat turistike, duhet të bëjë një kërkesë. Në 10 gusht të vitit të kaluar nisi procedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e pronësisë. Kërkesa e subjekteve të interesuara paraqitet në drejtorinë qendrore të Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale brenda 60 ditëve nga nisja e procedurave. Qeveria ka miratuar edhe një vendim ku përcaktohet se ALUIZNI është autoriteti që lajmëron personat që preken nga ky ligj, ndërkohë që paralelisht përcaktohet edhe çmimi i truallit, duke operuar sipas hartës së vlerës së tokës. Për bërjen e pagesës është lënë një afat 6-mujor që nga momenti i lajmërimit nga ALUIZNI.
Ndryshimet në ligj së bashku me amendimet e deputetit Alibeaj
Në nenin 3 shtohet pika 2
Personat e stimuluar që kanë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë, në rast se nuk paraqesin interes për ndryshimin e pronësisë së truallit, nuk i nënshtrohen procedurave të parashikuara nga ky ligj.
Në nenin 5 pas shkronjës ‘dh’ të pikës 1. shtohet shkronja ‘e’ me këtë përmbajte:
Dokumentet që duhet të paraqesë personi i stimuluar
e. Vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, për detyrimet nga marrëveshja e qirasë.
Shtohet neni 4 me këtë përmbajtje
Dispozita transitore
1. Për kërkesat e depozituara nga personat e stimuluar për të cilat ka nisur procedura e shqyrtimit, ALUIZNI kërkon nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe nga personi i stimuluar një vërtetim për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë dhe zhvillimit.
2. Agjencia Kombëtare e Turizmit, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, i dërgon ALUIZNI-t listën e detyrimeve të qirasë që kanë personat e stimuluar.
3. ALUIZNI nuk mund të kryej procedura shqyrtimi për subjektet e përfshira në pikën 2 të nenit 3.
Shtohet neni 15/1
1. Për personat e stimuluar ose subjektet me marrëveshje qiraje dhe zhvillimi, që nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë, në çmimin e kalimit të pronësisë mbi truallin shtohet dhe vlera e detyrimeve të prapambetura. Detyrimet e prapambetura llogariten nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.
2. Të ardhurat nga qiratë ndahen dhe përdoren sipas legjislacionit në fuqi.
http://www.standard.al/index.php/abi/17216.html